Ish-presidenti Ilir Meta ka dorëzuar një kërkesë të re në Gjykatën e Posaçme për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg” me një masë më të lehtë, duke ofruar 50 mijë euro garanci pasurore.
Kjo nuk është hera e parë që Meta tenton një veprim të tillë. Më parë, në seancën e 24 marsit, GJKKO i kishte refuzuar kërkesën për lënien e qelisë me të njëjtën garanci. Vendimi i gjykatës mbi kërkesën e re pritet në ditët në vijim.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.
