Dasma e djalit të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për madhështinë e saj, por edhe për komentet ironike në rrjet, mes të cilave ka spikatur edhe reagimi i Ilir Vrenozit, një nga zërat më aktivë dhe kritikë brenda radhëve të demokratëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Vrenozi ka thumbuar ish-deputeten duke shkruar me ironi se, ndonëse mund t’i ketë kursyer të birit deri në 500 mijë euro për këtë dasmë, momenti që ka zgjedhur për ta zhvilluar nuk është aspak i përshtatshëm, duke lënë të kuptohet se situata politike dhe ekonomike në vend nuk përkon me ngjarje të tilla luksoze.
“Unë nuk jam dasma dhe kundra luksit. Muhabeti është që këta mund të kenë biznes familjar, dhe mund të harxhojnë edhe 500 mijë euro, edhe 1 milion euro. 500 mijë euro bëjnë 500 milionë lekë, gjëra të vogla, lekë xhepi. Kjo i ka hequr mënjanë për djalin e saj 500 mijë euro apo 1 milion euro që të bëjë dasmën, as nuk diskutohet ajo pune.
Po të mos e bëjnë dasmën këta, kush do e bëjë. Muhabeti është, meqë momenti është i keq, në kuptimin që Rama ka fituar mandatin e katërt, populli është i varfër, demokratët janë 12 vite rrugëve, sikur nuk shkon që të prishësh kaq lekë dhe të bësh një dasmë luksi. Nuk ishte një dasmë luksi në kalanë e Shkodrës, ajo ishte e mrekullueshme, dilte një super dasmë”, thotë Vrenozi.