50,854 anëtarë votuan në zgjedhjet e primareve të PD të mbajtura një ditë më parë në të gjitha degët e PD.

Sipas KOKOE, votimi filloi në orën 8.00 dhe u mbyll pothuajse në të gjitha qendrat në orën 18.00. Në disa qendra votimi, procesi vijoi derisa edhe anëtari i fundit i PD në radhë arriti të votonte. Procesi i votimit ka qenë i qetë dhe në respekt të rregulloreve dhe udhëzimeve. Pjesëmarrja në votimet për Primare ka qenë më e larta ndër zgjedhjet e organizuara nga ndonjë parti politikë në Shqipëri, raporton Top Channel.

Procesi i numërimit të votave. i cili përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ishte i hapur për mediat dhe gazetarët, gjerësisht i transmetuar LIVE dhe u zhvillua në mënyrë të përqendruar në qendrat e qarqeve, në prezencë të kandidatëve ose përfaqësuesve të autorizuar prej tyre.

“KOKOE njofton që pranë saj kanë ardhur pjesa më e madhe e materialeve zgjedhore dhe është në pritje të materialeve që nuk kanë ardhur ende, kjo, shkaktuar edhe nga procesi i zgjatur i numërimit në disa degë.

KOKOE po shqyrton të gjitha materialet zgjedhore e do të publikojë në vijim Vendimet për rezultatin e Primareve në nivel Qarku. KOKOE bën me dije që dy QV në Tiranë dhe 1 QV ne Vlorë kanë pasur problematika të cilat kërkojnë vendimmarrjen e KOKOE. Çdo rezultat konsiderohet paraprak, dhe aty ku mungojnë rezultate QV, konsiderohet jopërfundimtar, deri në vendimin përfundimtar të KOKOE.

KOKOE njofton që po qëndron e mbledhur duke verifikuar materialet zgjedhore sipas radhës së mbërritjes, në mënyrë të pandërprerë. Rezultatet finale të KOKOE publikohen vetëm pas verifikimit te materialeve origjinale zgjedhore dhe vendimeve të KOKOE për rastet e sipërpërmendura”, sipas njoftimit.