Masa e sigurisë në Durrës
“Nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur, çfarë kam bërë. Unë jam i sëmurë dhe marr mjekim. Dua të iki nga këtu. Dua të shkoj te familja ime, fëmijët e mi në Greqi. Gjithçka mund të ketë ndodhur kur jemi grindur për një çështje pa shumë rëndësi”. Kështu është shprehur para Gjykatës së Durrësit 51-vjeçari Lefter Pashaj, i cili është me probleme mendore dhe vrau nënën pak ditë më parë në fshatin Kullë të këtij rrethi. Para gjyqtarit, ai ka theksuar faktin se nuk ka qenë i vetëdijshëm për krimin e kryer. Sipas akuzës, i arrestuari e ka kërcënuar fillimisht të ëmën për t’i marrë paratë dhe më pas, në debat e sipër, e ka qëlluar disa herë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Prokurorja Anila Jella kërkoi që i arrestuari t’i nënshtrohet një ekspertimi mjekoligjor për gjendjen psikike, si dhe kërkoi vlerësimin e ligjshmërisë së arrestit të kryer në flagrancë dhe lënien e tij në burg. Mbrojtja deklaroi se Lefter Pashaj ka probleme mendore, të cilat vërtetohen edhe nga kartela klinike e tij. Në përfundim të seancës, gjyqtari Tritan Hamitaj e vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe vendosi lënien në burg të vrasësit të nënës, deri në përfundim të hetimeve. Krimi i rëndë ndodhi paraditen e së shtunës së kaluar, kur pas një debati për motive të dobëta, 51-vjeçari, i ve prej një viti, goditi me mjete të forta brenda shtëpisë së saj, të ëmën 75-vjeçare, duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme. V. Qyrfyçi