Top News ka arritur të zbardhë itinerarin e ndjekur nga autorët që morën pjesë në ekzekutimin e Briken Sanajt.
Sipas informacioneve të siguruara nga grupi I hetimit, ndjekja e makinës së viktimës ka nisur në zonën e Lezhes ku eshte organizuar ceremonia e dasmës së shokut të ngushtë të viktimës.
Autorët kanë pritur mbarimin e dasmës dhe të gjitha aktiviteteve të tjera ku ka marrë pjesë viktima dhe janë vënë në lëvizje në momentin që ky I fundit është nisur drejt Tiranës së bashku me çiftin e ri në dy makina të ndryshme.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, viktima ka lëvizur me një mjet tip Audi nëpërmjet rrugës Lezhë në drejtim të Fushë-Krujës, e më pas ka kaluar në Rinas, në autostradën Durrës-Tiranë, në Astir e deri në rezidencën Kodra e Diellit ku ndodhi ekzekutimi.
Viktima ka qenë pasagjer në automjetin tip Audi A6, që drejtohej nga nipi i shokut që martohej. Ndërsa ndjekja prej rreth 55km dyshohet të jetë bërë nga të dy autoret, njëri nga të cilët ka zbritur nga makina tip Benz C-Class dhe nëpërmjet shkurreve është afruar pranë vilës dhe ka qëlluar për vdekje Briken Sanajn.
Më pas ai është larguar me vrap ku po e priste bashkëpunëtori në makinë, për të kaluar nëpërmjet rrugica fillimisht, e më pas pranë ish-Sheshit Shqiponja, për t’u futur sërish në rrugë dytësore deri pranë një biznesi ku u gjet djegur makina, brenda së cilës u gjetën gëzhoja dhe arma e krimit tip Kallashnikov.
Pikërisht kaq shumë ndjekje nga autorët japin shpresë për grupin e hetimit, se ata mund të kenë gabuar diku gjatë rrugës së ndjekjes deri në kryerjen e krimit dhe të kenë lënë ndonjë provë të mundshme që mund të zbulojë identitetin e tyre. Prandaj po kqyren kamerat e sigurisë në të gjithë itinerarin e përmendur.
Pista kryesore e hetimit mbetet hakmarrja, pasi vëllai I viktimës kishte plagosur një person në Lezhë para disa vitesh. Viktima kishte ndryshuar emrin nga Skerdilajd në Briken dhe prej 1 viti ishte kthyer nga Italia. Në sitën e policisë po kalojnë të gjitha kontaktet e 39-vjeçarit që humbi jetën si edhe aktiviteti me të cilin është marrë ai, për të pasur më shumë prova që mund të çojnë në zbulimin e autorëve.