Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për gjyqtaren e Apelit të Korçës, Mimoza Margjeka me akuzën e korrupsionit.
Ky vendim u dha pas akuzës së SPAK se Margjeka kishte marrë në këmbim të lehtësimit të masës së sigurisë për Orion Balin, i arrestuar në 4 korrik të këtij viti duke transportuar klandestinë.
Sipas SPAK, Margjeka ka marrë 6000 euro në këmbim të nxjerrjes së Orion Balit nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”.
Ditën e sotme ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” avokati i Margjekës, Genc Gjokutaj, u shpreh se kuptohet se kjo çështje është sensitive për faktin se akuzohet një gjyqtare dhe bashkëshorti i saj mjaft i njohur, Arben Cara.
Avokati shprehet se donte të sqaronte 2-3 momente që publiku të kuptonte dhe të arsyetonte vetë se me çfarë kemi të bëjmë në lidhje me këtë çështje.
Sipas Gjokutajt, kjo është një çështje në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të plotë të provave. “Ka mungesë provash. Prokuroria kur ka kërkuar arrest me burg për Arben Carën dhe arrest shtëpie për gjyqtaren, ka sjellë disa përgjime ku emri i Mimozës nuk është përmendur fare. Gjithashtu në gjyqin për të cilin akuzohet, ajo nuk ka qenë kryetare por anëtare e Gjykatës”, tha avokati.
Gjokutaj shtoi se nuk ka patur asnjë provë materiale. “Çdo vepër penale kërkon prova materiale, në këtë rast paranë. Nuk ka asnjë kartëmonedhë të sekuestruar që Margjeka të implikohet. Janë sendet, informacionet që e lidhin të akuzuarin me akuzën e tij, por nuk pati asnjë sekuestrim parash”, vijoi ai.