
Studimi i parë kombëtar mbi prevalencën e aftësisë së kufizuar dhe cilësisë së shërbimeve tek fëmijët e moshës 2 deri në 17 vjeç tregon se 92 % e fëmijëve që ka të paktën një vështirësi të një shkalle të thelluar nuk përfiton nga shërbimet sociale në një qendër zhvillimi të specializuar.
Në studimin e prezantuar sot nga “World Vision” dhe “Save the Children” rezulton se 10.7 % e fëmijëve në të gjithë vendin kanë një vështirësi të një shkalle të thelluar në funksionim dhe zhvillim. Fëmijë me aftësi të kufizuar janë konsideruar fëmijë të cilët kryejnë me shumë vështirësi ose nuk e kryejnë fare një funksion apo veprimtari të jetës.
Toni Gogu, Drejtori Kombëtar i World Vision tha: “Ne duam, që secilit prej këtyre 70 mijë fëmijëve me të paktën një vështirësi të thelluar t’i themi “Tungjatjeta” dhe t’i drejtojmë drejt shërbimeve sociale të specializuara që u nevojiten, në bashkëpunim me bashkitë dhe partnerë të tjerë.” Matja e prevalencës është bazuar tek modeli biopsikosocial dhe Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit për Fëmijët dhe të Rinjtë. Kampioni i studimit përbëhet nga 13.000 familje, në të cilat është intervistuar një nga kujdestarët parësorë të fëmijës. Prindërit (nëna ose kujdestari ligjor) e 13 mijë fëmijëve të moshës 2 deri ne 17 vjeç, në 12 qarqet administrative janë pyetur nëse fëmijët e tyre kanë të paktën një ose më shumë vështirësi në 13 fusha që prekin aspektin fizik, mendor (intelektual) dhe emocional.
Gjatë prezantimit të studimit Anila Meço, Drejtore e Save the Children tha: “Këto gjetje do t’i shërbejnë një diskutimi më të gjerë midis specialisteve të fushës, por gjithashtu tërheqin vëmendjen dhe kërkojnë një angazhim serioz, në nivel lokal dhe qendror, për rritjen e burimeve publike financiare dhe njerëzore, që i shërbejnë përmirësimit të sistemit të shërbimeve për fëmijët me AK dhe standardeve për ofrimin e shërbimeve të specializuara si dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve publike dhe të profesionistëve të shërbimit për fëmijët me AK, që do të garantojnë akses dhe cilësi në shërbime për fëmijët me AK”.
13 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)