Në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë”, në Konispol, është përkujtuar sot 82-vjetori i ngjarjeve të cilësuara si gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Ceremonia u organizua nga Bashkia Konispol dhe mblodhi përfaqësues institucionesh, shoqatash çame, politikës si dhe qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Të pranishmit nderuan kujtimin e mijëra shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën gjatë ngjarjeve të vitit 1944, ndërsa në fjalimet përshëndetëse u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe vijimit të angazhimit për çështjen çame.
Në aktivitet mbajtën fjalë edhe përfaqësues të shoqatave “Çamëria” nga Shkodra dhe Kosova, të cilët folën për rëndësinë e identitetit dhe historisë së komunitetit çam. Deputeti Ardit Bido u ndal te trajtimi i çështjes çame si çështje shtetërore dhe kombëtare.
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi theksoi nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ndërsa Tahir Muhedini kërkoi edhe ngritjen e një memoriali në Çamëri.
Ceremonia u mbyll me vendosjen e kurorave me lule pranë memorialit të viktimave në Kllogjer.
