Të hënën pati një përballje e fortë në Kuvend, pasi në seancë plenare kërkohej shumica e cilësuar e votave për Kodin Zgjedhor, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Të gjithë sytë u drejtuan te prezenca e deputetëve, ndërsa pikëpyetjet ishin nëse maxhoranca do të mund të sigurojë 84 vota, aq sa kërkohen për miratimin e ligjit tw ri zgjedhor.


Në fakt janë disa ligje që duan shumicë të cilësuar në Kuvend, ose më saktë duhen votuar nga jo më pak se 84 deputetë. Neni 78 i Kushtetutës thotë se Kuvendi i miraton ligjet me shumicën e votave në prani të më shumë së gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta kërkon një shumicë të cilësuar.


Një nga këto raste është neni 81, pika 2 e Kushtetutës, i cili rendit kategoritë e ligjeve për miratimin e të cilave kërkohet vota e tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta; ligji për shtetësinë; ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore; ligji për referendumet; kodet; ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme; ligji për statusin e funksionarëve publikë, ligji për amnistinë; ligji për ndarjen administrative të Republikës”.


Ndërkohë që ka disa nene të Kushtetutës të cilat kërkojnë miratimin e ligjeve me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për shembull: neni 12 pika 3 i Kushtetutës përcakton se asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si edhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit,  apo neni 172 pika 2 i Kushtetutës i cili parashikon se Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij për dekretin e Presidentit i cili vendos për gjendjen e luftës.


Megjithatë, të gjitha ligjet gëzojnë një status hierarkie të njëjtë pavarësisht nga procedura e miratimit të tyre. Kushtetuta nuk u jep status të veçantë ligjeve për miratimin e të cilave kërkohet një shumicë e cilësuar sipas neneve 12, 81, 172 e të tjerë.  


Hartuesi i ligjeve duhet të sigurojë që projektligjet dhe projektaktet nënligjore të respektojnë hierarkinë, statusin dhe efektin e normave ligjore të parashikuara në Kushtetutë. Prandaj, dispozitat e ligjeve dhe akteve nënligjore duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.


Po kështu, aktet nënligjore nuk duhet të shkojnë përtej kompetencave të ligjeve në bazë të të cilave ato dalin, dhe dispozitat e akteve nënligjore nuk duhet të bien ndesh me dispozitat e vetë ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara ose acquis-në e zbatueshëm për rastin konkret.


Disa ligje në Shqipëri, siç është ligji i buxhetit, kanë një natyrë të përgjithshme dhe kanë ndikim të madh tek një numër i konsiderueshëm ligjesh të tjera. Legjislacioni duhet të shihet si një program veprimi ku pyetjet dhe përgjigjet, faktet dhe rrjedhojat ligjore përcaktohen sa më ngushtë të jetë e mundur në lidhje me njëra tjetrën.


Prandaj, nuk duhet që të miratohen disa ligje që lidhen me të njëjtin problem, ose të plotësohet një ligj i përgjithshëm me disa ligje të tjera të veçanta. Në vend të kësaj praktike, duhet bërë kodifikim, apo duhet të nxirren akte nënligjore.


Nevoja për ndërhyrje legjislative mund të lindë për arsye nga më të ndryshmet. Nevoja për modifikimin mund të bëhet e dukshme gjatë zbatimit të ligjit ekzistues, ose si rrjedhojë e debatit publik mes grupeve


të interesuara dhe institucioneve politike. Në të vërtetë është detyrë e të gjitha ministrive që të ndjekin nga afër zhvillimin e sistemit ligjor në fushat e tyre përkatëse dhe të parashikojnë, kur është e përshtatshme, ndryshimet e duhura si edhe shfuqizimet formale të normave ligjore që kanë humbur rëndësinë, ose që efektivisht janë zëvendësuar nga legjislacioni i më vonshëm.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.