Një familje në ndihmë ekonomike në zonën e Kombinatit u përball me një faturë të energjisë elektrike prej 90 mijë lekësh , ndërsa pretendon se prej më shumë se një viti askush nuk kishte shkuar për leximin e sahatit. Pas ankesës në emisionin investigativ “Fiks Fare”, problemi i saj mori zgjidhje.

Flora Ismaili tregoi për Fiks Fare se jeton në kushte të vështira ekonomike dhe se konsumi i saj është minimal. Ajo shprehet se në banesë ka vetëm një sobë dhe një frigorifer ekonomik, ndaj e konsideron të pajustifikuar faturën e lartë.

“Unë nuk kam furrë buke apo pajisje që harxhojnë shumë energji. Nuk kam mundësi të paguaj 900 mijë lekë të vjetra menjëherë”, u shpreh ajo.

Familja kishte edhe një aktmarrëveshje të mëparshme për shlyerjen e detyrimeve të akumuluara ndaj OSHEE-së, por sipas Florës, pas ankesës në zyrat e OSHEE-së iu komunikua se marrëveshja ekzistuese prishej dhe se detyrimet do të rinisnin nga e para.

Pas interesimit të Fiks Fare, reagoi edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Zëdhënësi i OSHEE-së, Ardi Kola, sqaroi se problemi kishte ardhur si pasojë e mosleximit të rregullt të matësit për shkak të mungesës së faturistit në zonë.

Sipas tij, zona ishte mbuluar përkohësisht nga faturistë të tjerë, të cilët nuk kishin njohuri të plota mbi strukturën e abonentëve dhe kjo kishte sjellë pasaktësi në faturim.

OSHEE bëri me dije se tashmë matësi lexohet rregullisht dhe se familja do të përfitojë pagesë me këste, duke paguar vetëm 1000 lekë në muaj për detyrimet e prapambetura, së bashku me konsumin aktual.

Në fund, Flora falënderoi stafin e Fiks Fare për ndërhyrjen dhe zgjidhjen e problemit.

“Po të mos ishit ju, nuk do të gjeja asnjë zgjidhje. Jam dakord ta paguaj me këste. Ju falënderoj shumë”, tha ajo.

Top Channel