Sot shënohet dita e 91-të e protestës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e sistemit politik.

Protesta vjen pas 90 ditësh mobilizim të pandërprerë, gjatë të cilave qytetarët kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhe kundër qeverisë dhe klasës politike.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Në platformën e tyre përfshihet gjithashtu krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor dhe ndryshimi i kursit politik në vend.

Gjatë protestës së mbrëmshme, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit nën thirrjet “Ndryshim sistemi! Revolucion!”, “Arrestoni Ramën dhe Ballukun!” dhe “Shqipëri e rinisë, jo e partisë!”. Protestuesit deklaruan se do të vijojnë qëndresën dhe nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Në protestën e 90-të, një nga pankartat përcolli mesazhin “90 ditë, një kërkesë: llogaridhënie”, ndërsa organizatorët theksuan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Edhe në ditën e 91-të pritet që qytetarët të mblidhen në Tiranë dhe të marshojnë në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar shtimin e presionit qytetar për ndryshim politik.

Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar një protestë kombëtare më 12 shtator, ku pritet të ketë pjesëmarrje edhe nga Diaspora.

Protestuesit e cilësojnë lëvizjen si një revoltë qytetare kundër klasës së vjetër politike dhe shprehen të vendosur për ta vijuar atë deri në realizimin e kërkesave të tyre.