Dosja për ekzekutimin e Drita Rrapollarit dhe djalit të saj të mitur Ermalit, 15 vite më parë


Edmond Hoxhaj


Zbardhja pas 15 vitesh e një krimi të ‘97-s ka sjellë për qytetin e Patosit në Rrethin e Fierit, panoramën e përgjakshme të atyre kohëve, të cilat fatkeqësisht, duket se kanë nisur të ripërsëriten gjatë kësaj vere, me ekzekutime mafioze e të dhunshme përditë, në të gjithë territorin e vendit. Vrasja makabre e dyfishtë e 3 prillit të vitit 1997, ka pasur si viktima nënë e bir, Drita dhe Ermal Rrapollarin, ky i fundit 14-vjeçar. Skena e krimit, e zbardhur nga hetimi disamujor i udhëhequr nga prokurorja e Fierit, Elida Hoxhaj, tregon qartazi dhunën, gjakftohtësinë dhe motivet e rëndomta që kanë ndikuar te katër të pandehurit për të ekzekutuar të miturin e nënën e tij dhe përpjekjet e këtyre të fundit për të qenë zot në shtëpinë e tyre. Ka qenë një prej të pandehurve, 46-vjeçari Arben Çela, i cili ka vendosur të rrëfehet pas 15 vitesh për krimin e kryer, që ka vënë në pranga edhe tre bashkëpunëtorët e tij. Krahas Arben Çelës, nën akuzë janë vënë edhe Eduart Banaj, Altin Hoxha dhe Roland Likaj.


 


Ngjarja


Në dosjen e akuzës, një kopje të së cilës e zotëron edhe gazeta “Shqip”, thuhet se: “Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 3 prillit 1997, katër të pandehurit, pasi kishin rënë dakord për kryerjen e vjedhjes, kanë nisur të veprojnë. I pandehuri Roland Likaj është larguar më parë për të bërë rojë te shtëpia e tij, që ndodhej në të njëjtin pallat me shtëpinë e viktimave, me qëllim për të parë nëse do të shkonte ndonjë i afërm për të fjetur gjatë natës. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Eduart Banaj, Arben Çela dhe Altin Hoxha kanë shkuar për të kryer vjedhjen rreth orës 01:02, pas mesnate. Ndërkohë që i pandehuri Altin Hoxha ruante me automatik poshtë ballkonit të të ndjerëve, të akuzuarit Eduart Banaj dhe Arben Çela kanë hipur nëpërmjet kangjellave të ballkonit të katit të parë në ballkonin e katit të dytë të shtëpisë së viktimës. I pandehuri Eduart Banaj ka pasur me vete një armë zjarri tip kallashnikov dhe ka hyrë i pari në banesë nga dritarja e banjës, duke e hapur atë me kaçavidë e pas tij ka hipur në ballkon i pandehuri Arben Çela. Kanë kaluar dy minuta, kur Çela, pa arritur ende të futej brenda në shtëpi, ka dëgjuar të shtëna automatiku. Menjëherë ka zbritur nëpërmjet kangjellave në katin e parë e më pas ka zbritur edhe Eduardi. Në këtë kohë, i trembur për bashkëpunëtorët e tij, i pandehuri Altin Hoxha ka qëlluar me breshëri me automatik në ajër. Të tre janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes dhe kanë shkuar në shtëpinë e të pandehurit Hoxha, një shtëpi përdhese, ku kanë lënë armët e zjarrit dhe e kanë porositur Altinin që t’i zhdukte ato.


 


Përleshja


Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve, mësohet se i pandehuri Çela ka rrëfyer motivin dhe dinamikën e ngjarjes. Ai është shprehur se kur kanë qenë duke u larguar me vrap për t’u fshehur pas kryerjes së krimit, i pandehuri Eduart Banaj, që ka qenë i vetmi që hyri në banesë, u ka treguar bashkautorëve atë çfarë ka ndodhur. Ai u ka thënë se kishte shtënë me armë, pasi 14-vjeçari Ermal Rrapollari i ishte hedhur t’i merrte armën dhe se në këtë moment e kishte qëlluar. Sipas burimeve, Banaj u ka treguar bashkëpunëtorëve se “në momentin kur po kërcënonte Drita Rrapollarin që t’i jepte paratë, djali i saj i mitur i është vërsulur dhe e ka qëlluar me grushte e ka tentuar t’i marrë armën automatik tip kallashnikov. Në këtë moment ai ka shtënë mbi të duke i shkaktuar dy plagë tejshpuese. Ndërkohë nëna është përpjekur të mbulojë me trupin e saj të birin, por një tjetër predhë i ka shpuar tejpërtej kraharorin, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas dëshmive të banorëve, vetëm të nesërmen kanë guxuar të hyjnë në shtëpinë e Drita Rrapollarit, ku kanë gjetur nënë e bir të pajetë pranë njëri-tjetrit, ndërsa derën dhe muret e shtëpisë me vrimat e plumbave. Sipas tyre, Ermali mbante në duar doreza plastike, me të cilat është munduar të godasë mbi grabitësin.


Motivi


Ka qenë i pandehuri Roland Lika ai i cili dyshohet se ka hedhur idenë e grabitjes së banesës së Drita Rrapollarit. Rastësisht nga bisedat e nënës së tij, Naile, ai ka rënë në dijeni se fqinja, Drita Rrapollari, e cila jetonte në shtëpi vetëm me djalin e saj të mitur 14 vjeç, kishte në banesë sasi të konsiderueshme lekësh. Për këtë arsye i ka lindur mendimi kriminal dhe ka bërë marrëveshje edhe me të pandehurit Eduart Banaj, Altin Hoxha dhe Arben Çela për të vjedhur banesën e shtetases Drita Rrapollari, thuhet në kërkesën për gjykim.