Ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të largohej nga politika, nëse një gjë e tillë do t’i shërbente konsolidimit të Partisë Demokratike.
Në përgjigjen e tij, Berisha tha se vlerëson çdo lloj propozimi, por sipas tij, në këtë kohë të shkurtër ai nuk u ka premtuar shqiptarëve asgjë tjetër, përveç votës së lirë.
“Duke vlerësuar çdo lloj propozimi, mund të them një gjë, ata që nuk kanë respekt për votën, nuk i referohen votës, dëshmojnë një mentalitet totalitar mjeran, çfarëdo qofshin gazetarë, analistë, politikanë, gjithçka, Sali Berisha në këtë kohë të shkurtër nuk u ka premtuar shqiptarëve asgjë tjetër, përveç votës së lirë.
Nëse bëni analizën si ka mundësi që 70% e opozitarëve u rreshtua në krahun tim, kjo ka vetëm një shpjegim, sepse ata duan votën e lirë. Ndaj dhe çdo politikan, analist, gazetar, që do të debatojë apo të diskutojë për problemin, nëse del jashtë boshtit të votës së lirë, ka një arsyetim të rrezikshëm, që s’ka asgjë të përbashkët me arsyetimin e njerëzve të lirë”, u shpreh Sali Berisha.