Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, duke theksuar se Partia Demokratike ka ndërprerë çdo bashkëpunim me mazhorancën për emërimet në institucionet kushtetuese.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, Berisha tha se ky qëndrim erdhi pas procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
“Ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash. Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave”, u shpreh ai.
Berisha kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, është reduktuar roli i Prokurorit të Përgjithshëm, duke e cilësuar institucionin si të privuar nga kompetencat që i njeh Kushtetuta.
Sipas kreut të PD-së, Prokuroria e Përgjithshme është “zhveshur” nga funksionet e saj, ndërsa theksoi se një institucion kushtetues nuk mund të kufizohet vetëm në paraqitjen e statistikave, por duhet të ketë një rol më të gjerë në sistemin e drejtësisë.
