Pandeli Nakoleci do të dalë nesër në Gjykatë për masën e sigurisë, pasi masakroi me thikë bashkëshorten e tij Marjola Nakoleci.
Prej dy ditësh, që nga momenti i arrestimit mëngjesin e të shtunës, ai po pyetet nga Prokuroria për rrethanat dhe motivin e krimit. Edhe pse ka shprehur pendesë duke thënë se ishte i dehur dhe u provokua, hetuesit kanë dalluar bipolaritetin e tij në deklarata, pasi ka shfaqur edhe xhelozinë e sëmurë, duke pretenduar tradhtinë bashkëshortore.
Nakoleci, person me precedentë të theksuar kriminalë dhe disa herë i dënuar, po trajtohet aktualisht në Psikiatri me urdhër të Prokurorisë. Raportohet gjithashtu se ai ishte edhe person i kartelizuar në Shqipëri, ku është trajtuar me KEMP sipas familjarëve.
Gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, ai është përballur edhe me vajzën e madhe, të cilës pasi i ka thënë se nuk donte ta bënte krimin, nuk ka nguruar të justifikohet se e bëri për shkak të tradhtisë së viktimës.
Sipas mediave greke, ai gazetarëve nuk iu përgjigj pse bëri krimin, por kur u përball me të bijën 18-vjeçare, mësohet se i ka thënë:
“A e dije se nëna jote më tradhtonte?!”– ishte pyetja me të cilën raportohet se iu drejtua të bijës.
Pas krimit, familjarët dhe fëmijët e çiftit kanë dëshmuar për dhunën e vazhdueshme që ushtrohej nga Nakoleci ndaj viktimës, në të shumtën e rasteve para fëmijëve, ashtu siç ndodhi dhe vrasja.




