Partia Socialiste ka dalë fituese me rezultat të thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit. Para se qytetarët t’i drejtoheshin kutive të votimit, kandidatët socialistë kishin dhënë parashikimet e tyre për rezultatin, gjatë podcastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.
Pas publikimit të rezultateve zyrtare nga KQZ shihet se vetëm një prej tyre e ka goditur pothuajse në shenjë.
Altin Bojni më i saktë në parashikim
Në Mat, kandidati Altin Bojni parashikoi një fitore me 65% të votave, ndërsa rezultati përfundimtar i dha 66.5%, duke u treguar edhe më i suksesshëm se pritshmëritë e vetë Ramës.
“Të isha në vendin tënd do të thosha 51%,” – i pati thënë kryeministri gjatë podcastit.
Rezultate të afërta në qytete të tjera
Në Vlorë, Brunilda Mersini parashikoi 80% të votave, ndërsa rezultati final i dha 78.44%, shumë pranë parashikimit të saj.
Në Tepelenë, Gramos Sako priste një fitore me 83%, por përfundoi me 77.85%.
Ndërsa në Berat, Ervin Ceca e kaloi pritshmërinë e tij – ai kishte parashikuar 75%, por fitoi me 83.35% të votave.
Humbje e lehtë ndaj parashikimit në Cërrik
Në Cërrik, kandidati Florenc Doka kishte synuar 70% të votave, por rezultati përfundimtar ishte 66.22%.
Në përgjithësi, rezultatet treguan një fitore të gjerë për Partinë Socialiste, me disa kandidatë që arritën ose tejkaluan parashikimet e tyre, duke reflektuar mbështetjen e fortë të elektoratit në këto zgjedhje.
