“A e meriton Shqipëria gjendjen ku ndodhet?” Kjo është pyetja që hap për herë të parë “Topin e kam unë”, ku të rinj të përzgjedhur mes qindra aplikantëve debatojnë pro dhe kundër për një temë që prek secilin prej nesh.
Një pyetje e fortë, që ngre të tjera: kush mban përgjegjësi për gjendjen e vendit? Politika, institucionet apo edhe qytetarët? Sa ndikojnë zgjedhjet tona të përditshme në realitetin që shpesh e kritikojmë? Dhe sa mundësi kanë të rinjtë për ta ndryshuar atë?
Në këtë përballje, pjesëmarrësit do të mbrojnë qëndrime të kundërta. Nga njëra anë, argumenti se gjendja e Shqipërisë lidhet edhe me mënyrën si shoqëria reagon, voton, kërkon llogari apo hesht. Nga ana tjetër, qëndrimi se qytetarët meritojnë më shumë dhe nuk mund të mbajnë mbi supe përgjegjësinë për dështimet e atyre që kanë pushtetin dhe detyrimin për të qeverisur.
A është pakënaqësia hapi i parë drejt ndryshimit, apo kemi mbetur vetëm te ankesat? Ku mbaron përgjegjësia individuale dhe ku fillon ajo institucionale? A mund t’i kërkojmë më shumë Shqipërisë pa i kërkuar më shumë edhe vetes?
Në përballjen e parë të “Topin e kam unë”, këto pyetje kalojnë në duart e të rinjve. Topin e kanë ata, bashkë me fjalën, argumentin dhe mundësinë për të vënë në diskutim atë që shpesh e pranojmë si të pandryshueshme.
Top Channel
