Erion Veliaj, ish-kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, ka mbërritur sot në Gjykatën Kushtetuese nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar. Veliaj u transportua me një furgon policie nga paraburgimi i Durrësit, për të marrë pjesë në seancën që do të shqyrtojë ankimin e tij për shkarkimin nga detyra.

Pasi mbërriti në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, Veliaj u shfaq për disa momente para gazetarëve dhe operatorëve, duke përshëndetur ata me dorë, përpara se të shoqërohej nga efektivët e policisë brenda ambienteve të gjykatës.

Në momentin që një prej gazetarëve e pyeti Veliajn për qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në lidhje me Kushtetutën, duke e pyetur nëse ai kishte shkelur atë, Veliaj nuk pati mundësi të përgjigjej, pasi u shoqërua menjëherë për në sallën e seancës, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për të anuluar vendimin e Qeverisë për shkarkimin nga detyra.

Seanca e sotme është e rëndësishme, pasi mund të përcaktojë edhe fatin e zgjedhjeve të mundshme për kryebashkiakun e Tiranës, duke pasur parasysh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të pezullojë shkarkimin e Veliajt dhe të hapë rrugën për anulimin e dekretit të Presidentit për zgjedhjet e 9 nëntorit.