Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar gjatë një komunikimi me gazetarët edhe për pyetjen mbi urimin e ditëlindjes së kundërshtarit politik, duke shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë.

I pyetur nëse kishte bërë një urim apo dhuratë për 60-vjetorin e kundërshtarit të tij politik, Berisha nuk komentoi në mënyrë personale, por e zhvendosi përgjigjen drejt zhvillimeve politike dhe protestave të fundit.

“Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare me datën 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991”, u shpreh Berisha para gazetarëve.

Ai shtoi se, sipas tij, ajo protestë përfaqëson qëndrimin e tij politik dhe të mbështetësve të tij: “Unë bashkoj zërin tim me protestën, ky është i gjithë urimi im”, deklaroi kreu i PD-së.

Gazetarët: Dhe kundërshtari juaj politik para pak ditësh ka festuar 60 vjetorin. E keni bërë një urim, e keni bërë një dhuratë, ose do t’i bëni një urim nëse s’i keni bërë një mesazh?

Sali Berisha: Tani, lidhur me Ulsiun, që mund t’i vesh çdo emër. Ulsiu është peng i dosjes, e cila në regjistrime nxjerr se Ulsiu nga çunat e Londrës ka marrë 600 mijë euro. Dhe përveç kësaj, ka kërkuar dhe një çantë Louis Vuitton, dhe kur i thotë ai në telefon, po këtë çantën Louis Vuitton për kë e ke? Aha, i thotë, e kam për bashkëshorten. Jo, jo, i thotë, nuk i bën çanta Louis Vuitton asaj, e ke për tjetërkënd, se ia dinin dhe lidhjet Ulsiut, a më kupto apo jo?

Pra, Ulsiu që në momentin që të thirret, Ulsiu i ka të paktën 8 vite deri në 12 vite burg. Prandaj dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, vetëm t’i shpëtojë kësaj dosje që nuk i shpëton kurrë. Përveç kësaj, ky paska familjarë sipas të dhënave të mediave, nuk mund të them me dokumente, por të implikuar në afera të ndryshme korruptive. Pra, Ulsiu është një skllav i dosjeve të tij.

Gazetarët: Po për ditëlindjen, urimin, mesazhin?

Sali Berisha: Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare me datën 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991. Ajo ishte një protestë me kreativitetin më madhështor, më të jashtëzakonshëm që është parë ndonjëherë në Tiranë. Dhe ata, ata, ia bënë të gjitha urimet që meritonte.

Gazetarët: Po ju personalisht a u bashkuat me atë urim?

Sali Berisha: Unë bashkoj zërin tim me protestën, ky është i gjithë, përgjigja ime, pra bashkoj zërin tim me atë të protestës për urimin që i bënë.