Policia e Tiranës ka referuar në SPAK hetimin për arsenalin prej 23 armësh të zbuluar më 29 tetor brenda një furgoni të parkuar në rrugën Myslym Shyri në kryeqytet. Dosja i është kaluar Prokurorisë së Posaçme pas dyshimeve se armët i përkisnin një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas burimeve hetimore, armët dyshohet se janë në pronësi të grupit të Aurel Hoxhës, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK si porositësi dhe organizatori i vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020 — një ngjarje që u zbardh pas analizimit të komunikimeve të koduara në SKY ECC.

Në lidhje me rastin është arrestuar Eugert Sino, 34 vjeç, në emrin e të cilit ishte regjistruar furgoni ku u gjet arsenali. Sino ka deklaruar para hetuesve se mjetin e kishte vendosur në pronësinë e tij me kërkesë të një personi të njohur vetëm me emrin Bledar, pa e ditur mbiemrin e tij. Ai rezulton të ketë punuar më parë në lokalin “Monopol”, pronë e Aurel Hoxhës.

Furgoni, i cili kishte qenë i parkuar prej muajsh në zonën e Myslym Shyrit, ishte kamufluar me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, për të shmangur kontrollet e policisë dhe doganës. Hetuesit dyshojnë se kjo metodë përdorej për transportin e armëve dhe pajisjeve luftarake, duke u paraqitur si teknikë të mirëmbajtjes së rrugëve.

Në mjetin e sekuestruar u gjetën:

5 snajperë,

1 silenciator,

12 pistoleta,

17 krehra me municion luftarak,

celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë.

SPAK pritet të thellojë hetimet për të përcaktuar origjinën e armëve dhe lidhjet e mundshme të tyre me vrasje apo ngjarje kriminale të ndodhura në vitet e fundit.