Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër ka marrë jetën e Armando Palit, i cili u qëllua për vdekje në atentatin e paradites. Sipas burimeve hetimore, dyshohet se shënjestra e vërtetë e sulmit nuk ishte Pali, por Erogen Vaso, një nga të plagosurit.

Erogen Vaso është vëllai i Denis Brajoviç (Bajri), i njohur për përfshirjen në grupe kriminale. Kujtojmë se Denis Bajri u ekstradua nga Dubai në korrik të këtij viti, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe konsiderohej me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

37-vjeçari ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në burg”, vendosur nga GJKKO, për një sërë akuzash të rënda:

  • Vrasje me paramendim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal
  • Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve
  • Grup i strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale nga organizata kriminale
  • Sigurim i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes, gjithashtu në formën e bashkëpunimit kriminal

Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Emri i Bajrit lidhet edhe me vrasjen e Gjon Ndojt (Boriçi), ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, për të cilën dyshohet se u krye me porosi të Ervis Martinajt.