Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit ka publikuar një listë me shifra të civilëve të huaj të vrarë apo të zhdukur pas sulmeve të Hamasit javën e kaluar. 

Sipas listës 11 civilë amerikanë rezultojnë të vdekur, ndërsa ka edhe disa të zhdukur. Raportohet për 18 civilë tajlandezë të vrarë, 11 të kapur peng dhe 8 të lënduar. Po ashtu raportohet për 10 civilë të vrarë nga Nepali. Shtatë civilë argjentinas raportohet se janë vrarë, e 15 të zhdukur.

“Asnjëri nuk është kursyer”, ka thënë MPJ e Izraelit në një postim në platformën “X”.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 900 njerëz janë vrarë dhe 4600 janë plagosur në enklavë, raportojnë mediat e huaja. Nga ana tjetër, ushtria izraelite, foli për 1200 të vdekur në Izrael dhe më shumë se 2700 të plagosur.

Viktimat janë kryesisht civilë, të vrarë brenda shtëpive të tyre, në rrugë ose në një festë në natyrë. Dhjetra izraelitë dhe qytetarë të vendeve të tjera po mbahen peng në Gaza.

Militantët e Hamasit që mbajnë peng civilë dhe ushtarë kërcënuan të hënën se do të ekzekutonin një peng për çdo shtëpi të goditur në Gaza pa paralajmërim, por të martën mbrëma nuk kishte asnjë shenjë se ata e kishin kryer kërcënimin e tyre.