Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot me episodin e tretë të sezonit të ri të podcastit “Flasim”, ku ka folur për rrugëtimin e tij të gjatë në krye të qeverisë.

E pyetur nga e ftuara, Marsela, nëse ndonjë ditë është ndjerë i lodhur dhe ka menduar që të heqë dorë, Rama tha se kjo ka ndodhur, por që është diçka sipërfaqësore dhe e pandikueshme për vijimësinë.

“Natyra ime janë muret, aty kalon koha më e madhe. Koha ikën gjithmonë e më shpejt. Çdo vit kalon më shpejt se viti paraardhës dhe kur kthen kokën pas mahnitesh që koha ka ikur aq shpejt.

Kjo është një histori ngjitje, zbritesh rrëshqitjes, në momente të caktuara ndihesh i rrëzuar. Ka shumë presion, stres, ka momente dhimbe fizike sepse është shumë e vështirë ose e pamundur që t’ia shpjegosh dikujt që kur arrin në majë je vetëm. Sigurisht nuk je vetëm në kuptimin fizik të fjalës, sepse i ke disa njerëz, dikë që e ke shumë afër, siç kam unë gjysmën time, ose ke disa njerëz, por në fund kur duhet të marrësh një vendim je vetëm.

Ti do ta marrësh e ti do të përballesh me pasojat. Kjo është një punë vendimesh të panumërta në ditë. Për ty mund të jetë vendim shumë i vogël, por për dikë q ka një problem personal është një moment shumë i rëndësishëm.

Duhet të dish të thuash jo, por kur thua jo sigurisht që do të marrësh përsipër dhe energjinë negative të dikujt që s’ta kupton. Patjetër që në momente të caktuara mund të vijë të plasësh, por ajo që kam vënë re ajo ‘lëre këtë punë’ është sipërfaqësore, nuk vjen nga shumë thellë”, tha Rama.