Pentagoni publikoi së fundmi dhjetëra dokumente të deklasifikuara mbi UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara, pas një urdhri të Presidentit amerikan Donald Trump. Astrofizikanti Erald Buneci theksoi se objektet e paidentifikuara mund t’i konsiderojmë UFO, por jo alienë, pasi nuk ka asgjë të faktuar. Ai vuri në dukje se materialet e publikuara duhet të shihen me sy kritik dhe racional, pa thënë fjalën e fundit.
“Këto janë thjesht filmime, kryesisht nga ushtria amerikane gjatë viteve, por që s’tregojnë asgjë për ekzistencën e alienëve në Tokë. Nëpër filmime ka gjithmonë objekte që nuk identifikohen. Nuk janë fakte, janë thjesht filmime ushtarake, ku sekret mund të ketë qenë vendi dhe koha e filmimit, por jo në lidhje me alienët. UFO mund t’u themi, por jo alienë. Ose ato mund të kenë qenë të manipuluara nga ushtria për t’u dukur nga armiku si të tilla, me qëllim që të shpërqendrohet armiku, nëse i dërgon një avion spiun për të marrë informacion. Ata mund të thonë ka qenë një UFO, nuk ishim ne. Duhet të shohim çfarë materialesh janë, çfarë të rejash na japin, por me sy kritik dhe racional”, tha Buneci.
I pyetur përse shfaqen shumë objekte të paidentifikuara në vitet 60’, astrofizikanti dha këtë shpjegim: “Në vitet 60’ ka qenë moda dhe klima e tillë. Ka qenë misioni ‘Apollo’, Lufta e Ftohtë drejt hapësirës, dhe kjo frymë ka qenë edhe te shtetet dhe reflektohej në popull, dhe u vinin më shumë rëndësi fluturimeve në hapësirë. Por janë video normale, ku çdokush prej nesh mund t’i ketë marrë, por s’mund të shkojmë në fjalën e fundit dhe të themi që janë alienë”.
