Zbardhet dosja hetimore në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Në dosje thuhet se Ahmetaj mori drejtpërdrejt përfitim të parregullt për çështjen e inceneratorëve, nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në periudha të ndryshme, duke futur dhe emra të tjerë në këtë ‘skemë’.
“Ka marrë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përfitim të parregullt, për vete ose persona të tjerë, konkretisht shumën 170480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke e paraqitur si pagesë e bërë të një shtetasi tjetër dhe Arben Ahmetajt, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj një shtetasi., të dy apartamenteve me sipërfaqe 124.15 metra katrorë dhe një me sipërfaqe 148.8 m katrorë në vendin e quajtur Selitë, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve të tjerë.
Truall+ndërtesë në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë ndërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Zotos, në vijim në emër të një personi tjetër, e më pas në emër të bashkëjetueses së Ahmetajt. Shumën prej 130.000 eurove në vitin 2017 dhe 2018, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë ndaj një personi dhe ndaj Arben Ahmetajt, përkundrejt një shitje ndaj një tjetër personi, të një apartamenti dhe një garazhi”, thuhet në dosjen hetimore.
Rasti tjetër ka të bëjë me 140.000 euro në vitin 2018, me një pallat në zonën e Selitës. Vlera monetare u paraqit si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sip 178.68 m2 dhe një garazhi me sip 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292 në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k vlerë e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p,k.
34.422 euro të tjera janë përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesave të hoteleve e udhëtimeve përgjatë periudhës 2013-2017. Këto pagesa janë kryer për Ahmetajn dhe të afërm të tij.
Episodi tjetër është një apartament 167 metër katrorë në rrugën Reshit Çollaku në pronësi të ish-ministrit. Në formën e pagesave të kryera ndaj subjekteve tregtarë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shoqërisë “Integrated Technology Services”, dyshohet se Ahmetaj ka përfituar mbi dy milionë lekë gjatë vitit 2019 dhe 2020.
Këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion depozitoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për marrje autorizimi për arrestimin/ heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.