Banorët e Rrjollit kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit që po ndërtohet në tokat, që pretendojnë se po u merren padrejtësisht. Prej gjashte javësh ata vijojnë betejën e tyre, duke kërkuar drejtësi, ndërsa kanë protestuar edhe në Tiranë, përpara parlamentit si dhe SPAK, nga i cili kërkojnë që të marrë dosjen në dorë.

Ata akuzojnë efektivët se kanë ushtruar edhe akte dhune ndaj tyre, ndërsa disa prej banorëve janë shoqëruar në polici. Pavarësisht situatës së krijuar, banorët shprehen të vendosur të vijojnë protestat çdo ditë deri në ndërprerjen e punimeve për resortin që, sipas tyre, cenon pronat dhe mjedisin e zonës.

“O kriminelë, policia e krimit. Hajdutë. A keni turp apo nuk keni” – dëgjohen duke thënë disa nga protestuesit ndërsa përplasen me policinë.

Një nga banoret në një prononcim për mediat, pretendoi se disa nga djemtë që ishin të pranishëm janë dhunuar në furgonin e policisë. Ajo kërkoi që çështja të merret në dorë nga SPAK, ndërsa drejtoi gishtin edhe nga Prokuroria e Shkodrës, që e akuzoi se po fle mbi dosjen e tyre.

 “Uniformat blu janë treguar të padrejta, kanë kapur djemtë dhe i kanë futur në furgon dhe i kanë dhunuar. Nuk ka asnjë të drejtë që t’i dhunojë. I kanë hedhur si derrkucë. Ne do të vazhdojmë protestën deri në fund. Kjo tokë duhet t’u kthehet rrjellorëve. As një nga personat që mendon se mund ta marrin këtë tokë, të mos flejë i qetë se nuk ka për ta gëzuar. Shpresojmë që SPAK të marrë çështjen në dorë, Prokuroria e Shkodrës të mos flejë gjumë mbi dosjen tonë, por të japë drejtësi. Falsifikimet i ka në zyrë, ne jemi duke mbrojtur pronën tonë, jemi duke u keqtrajtuar në pronën tonë. Policia dhe shteti duhet t’u dalë për zot qytetarëve. Prokuroria e Shkodrës të hetojë dosjen sa më parë, mos lejojë që të përkeqësohen gjërat në këtë vend. Ne jemi sulmuar nga policia dhe njerëzit e Fatmir Shpezës. Prokuroria e Shkodrës do të jetë institucioni i parë përgjegjës nëse ndodh gjëja më minimale në Rrjoll.”, tha ajo.