Alarmi për përhapjen e virusit Ebola ka rikthyer shqetësimin në shumë vende të botës, ndërsa autoritetet shëndetësore në Shqipëri sigurojnë se rreziku për përhapjen e sëmundjes në vend mbetet minimal.
Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Artan Simaku, deklaroi se aktualisht nuk ka asnjë mundësi reale që Ebola të përhapet në Shqipëri apo në vendet europiane, duke theksuar se situata po monitorohet nga afër nga institucionet përkatëse.
Sipas specialistëve, virusi mund të shfaqë simptomat deri në 21 ditë pas infektimit. Fillimisht sëmundja paraqitet me shenja të ngjashme me gripin, por në faza më të avancuara mund të shkaktojë hemorragji të rënda.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë qytetarët të shmangin udhëtimet drejt vendeve të prekura nga Ebola, ndërsa në aeroporte janë shtuar masat informuese dhe udhëtarët po orientohen mbi procedurat që duhet të ndjekin në rast kontakti me persona të dyshuar si të infektuar.
