Në Gjykatën Kushtetuese mbahet sot seanca që ka të bëjë me kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të anuluar vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra. Seanca, e cila do të jetë publike, pritet të shoqërohet me një vëmendje të shtuar nga ana e mediave dhe publikut, pasi Veliaj do të dalë nga paraburgimi dhe do të paraqitet personalisht në Gjykatën Kushtetuese për të zhvilluar seancën.
Para seancës, punonjësit e Gjykatës Kushtetuese kanë kryer një testim të pajisjeve teknike, si mikrofonat dhe kamerat, për të siguruar që gjithçka të jetë gati për procesin. Një video që është shpërndarë në rrjetet sociale tregon atmosferën mes batutash dhe të qeshurash gjatë këtij testi, ku është e dukshme përpjekja për të garantuar një zhvillim të qetë të seancës.
Erion Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, pas një vendimi të Këshillit të Ministrave. Qeveria argumentoi se Veliaj nuk ishte paraqitur për detyrë për më shumë se tre muaj, që prej arrestimit të tij më 10 shkurt. Pas këtij vendimi, presidenti Bajram Begaj shpalli dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në kryeqytet më 9 nëntor, të cilat do të realizoheshin për të zgjedhur pasuesin e Veliajt në postin e kryebashkiakut.
Mirëpo, Veliaj ka apeluar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë, duke kërkuar shfuqizimin e tij. Sipas Kushtetutës, kur një vendim për shkarkim ankohet në Gjykatën Kushtetuese, ai pezullohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Një zhvillim i rëndësishëm ka ardhur më pas, kur një javë pas apelimit, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dekretin e presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të 9 nëntorit. Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja theksoi se vazhdimi i forcimit të dekretit për zgjedhjet mund të sillte pasoja të pariparueshme për Erion Veliajn, pasi vendimi për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim dhe nuk është përfundimtar.
