Partia Demokratike ka nisur procesin e organizimit të zgjedhjeve, duke ngritur një Komisionin i Vlerësimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie. Kryedemokratik Lulzim Basha ka ofruar një model të ri përzgjedhjeje, duke ia lënë në dorë përzgjedhjen apo filtrimin e kandidaturave një komisioni që drejtohet nga dy figurat të PD-së, të larguar dhe të rikthyer disa herë, si Besnik Musfataj dhe Genc Ruli.
Ish-ministri i Jashtëm,Besnik Mustafaj u shpreh se shpresoj se në këtë fund të këtij procesi të mos dalë i turpëruar. Ai shtoi se nga baza demokrate janë propozuar emra konkretë, që janë kandidatura serioze.
“Ne jemi të angazhuar që të përzgjedhim kontingjentin më të mirë. Ky është procesi më i rëndësishëm që ndodh brenda Partisë Demokratike. Janë propozuar kandidatura serioze”, tha Mustafaj.
“Nuk jam zëdhënësi i Komisionit, por mund të them përshtypjet e mia personale të cilat janë shumë optimiste. Është një proces i ri, i panjohur në historinë politike të Shqipërisë së këtyre 30 viteve. Unë konstatova se ka një prurje jashtëzakonisht të pasur, çka tregon se propozimet e demokratëve në të gjithë Shqipërinë kanë qenë serioze. Ne jemi seriozisht të angazhuar për të zgjedhur vlerat më të mira të këtij kontingjenti që përbëjnë burime njerëzore të mëdha, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë. Gjërat janë në vazhdim, unë shpresoj që, në fund të këtij procesi, të dal i pa turpëruar, sepse është detyra më e vështirë, më delikate dhe më komplekse që kam marrë ndonjëherë përsipër”, tha Mustafaj.
Ndërsa ish-ministri Ruli u shpreh se përzgjedhja e kandidatëve, proces ku ai bën pjesë do sjellë një nga fitoret më të mëdha në PD. Sa i përket Komisionit të Vlerësimit, ai u shpreh se janë emra që nga ata që janë themelues të PD-së, apo që kanë dhënë kontribut të mëvonshëm në nivelet më të lartë kësaj force politike apo në shtet, duke mbajtur poste ministrore dhe prurje të reja në politike.
“Ka ndryshuar politika në PD, Ka një politikë të hapjes përderisa më është hapur dera edhe mua që kam qenë një ndër kritikët e Bashës. Unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj dhe ndihem i vlerësuar për përzgjedhjen e një ekipi që do të sjellë një nga fitoret më të mëdha”, u shpreh Ruli.
Unë mendoj se ky proces është deklaruar nga vetë lidershipi i PD-së, zoti Basha se është një politikë e hapjes, unë vetë jam një njeri që kam pasur tre vjet më parë kam pasur qëndrime mjaft kritike ndaj liderishipit të PD-së dhe ndaj zotit Basha për arsye se mendoja dhe gjykoja ndryshe për proceset dhe mendoj se kjo ftesë që më është bërë mua është pikërisht shenjë e pjekurisë dhe e mend hapjes së PD-së.
Por pyetjes së drejtuar nga ish-ministrit se nëse ndryshoj PD, apo ka ndryshuar ai dha këtë përgjigje se në historinë e kësaj partie në këto 30 vite ka qenë disa herë kritik.
“E kam kundërshtuar disa herë lidershipin e PD-së në kohë, kur vlerësimi ynë apo mendimi ka qenë i kundërt me të. Sot e them me bindje ka ndryshuar politika në PD, Ka një politikë të hapjes përderisa më është hapur dera edhe mua që kam qenë një ndër kritikët e Bashës. Jam i gëzuar se mund të jap një kontribut, me përzgjedhjen e një ekipi e një stafi më të plotë dhe cilësor me atë që do të jetë përplasjet më të mëdha, por edhe nga një fitimet më të mëdha të PD”, deklaroi Ruli. Ai shtoi se është dakord me çdo aksion politik të saj të PD-së gjatë këtyre dy viteve.
Reagimi i Bashës
Në ditën e parë të punës së Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave, i shpreha anëtarëve të tij, Bujar Nishanit, Besnik Mustafajit, Genc Rulit, Enriketa Papës dhe Mark Markut, vlerësimin për angazhimin në këtë proces risi të politikës shqiptare.
PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike. Nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.
Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj.
Mirënjohje për Institutin Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe Fondacionin Konrad Adenauer, si dhe familjen tonë të madhe politike, Partinë Popullore Europiane – PPE, që na kanë mbështetur dhe vazhdojnë të na asistojnë në këtë proces dhe inkurajojnë që ai të ndiqet si model i demokratizimit të forcave politike, në Shqipëri dhe në gjithë Rajonin.
Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme do të jetë epoka e re në demokratizimin e partive politike shqiptare. Modeli ynë, ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlamentin e ardhshëm dhe drejtuesve në nivel vendor dhe qëndror, do të jetë dhe modeli për qeverisjen e ardhshme, ku zëri i qytetarëve do të jetë parësor në vendimmarrjet për Shqipërinë, për shqiptarët, për zhvillim dhe punësim, si prioritet kryesor i imi dhe i PD.
Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, me programin shpresëdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorrët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik.