Zhvillime të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e 6 tetorit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra gjatë një seanca gjyqësore. Dy telefonat e sekuestruar, njëri i autorit, Elvis Shkambi dhe tjetri i xhaxhait të tij, Gjon Shkambi janë çuar për ekspertim në laboratorin e ekspertizës kompjuterike në prokurorinë e posaçme SPAK.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se prokuroria e Tiranës që po ndjek rastin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, kërkon të depërtojë në komunikimet, që kanë pasur para vrasjes xhaxhai dhe nipi. Kjo pasi ende nuk është qartësuar me saktësi roli që ka pasur Gjon Shkambi në këtë vrasje. Dyshimet e deritanishme të grupit të hetimit flasin se Gjon Shkambi ka qenë personi që shtyu nipin për të kryer vrasjen.
Para kolegëve të gjyqtarit të vrarë, në Gjykatën e Apelit, Gjoni ka shprehur keqardhjen, ndërsa ka deklaruar se po ta dinte do ta kishte parandaluar. Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij, Elvis Shkambi ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t’i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi
