Shqetësimet lidhen me ilaçet dhe përtesën e bluzave të bardha për të dhënë shpjegime


Akuza – Pretendimet e tyre lidhen me ilaçet që s’japin efekt dhe me sjelljen e mjekëve, që i shpërfillin pa i dhënë shpjegim


Deklarata – Mjekët nuk komunikojnë sa duhet me të sëmurët, nuk u shpjegojnë efektet e mjekimit për t’u treguar rreziqet që ekzistojnë


Konkluzioni – Edhe pse janë marrë masa disiplinore në këtë drejtim, fenomene të këtij lloji vijojnë të jenë të pranishme në radhët e spitaleve


Numri i ankesave të qytetarëve në institucionin e urdhrit të mjekut shtohen çdo ditë e më shumë. Pretendimet e tyre janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga mungesa e sqarimit të mjekëve mbi ekzaminimet, preparatet dhe ndërhyrjet kirurgjikale që kryejnë pacientët. Presidenti i këtij urdhri, Din Abazaj, thotë se është e pafalshme nga ana e mjekëve, që nuk sqarojnë pacientët. Sipas tij, çdo mjek duhet të marrë firmën e pacientëve për çdo veprim që ndërmerr. “Mjekët nuk komunikojnë sa duhet me të sëmurët, me familjarët përpara ndërhyrjeve, para mjekimit, për t’u treguar edhe rreziqet që ekzistojnë e t’u marrin edhe firmën për miratimin e asaj që do të kryhet ndaj të sëmurit. Kur ndodh vdekja ose pakënaqësia, për shkak të mungesës së efektit të mjekimit, ata duke mos pasur informacionin e duhur nga bluzat e bardha, ankohen ashpër, madje shpesh diskutimet e tyre arrijnë edhe në degjenerim”, sqaron presidenti i Urdhrit të Mjekut.


Abazaj shton se një numër i konsiderueshëm ankesash regjistrohen për shkak të medikamenteve që i rekomandojnë mjekët, të cilat shpesh nuk japin asnjë efekt në përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Nisur nga këto shqetësime që numërohen në institucionin që drejton, ai kërkon që fillimisht ilaçet të testohen, për arsye se herë pas here kanë vënë në rrezik serioz jetesën e tyre.


“Ekzistojnë rreziqet nga mjetet që përdoren, qoftë nga medikamentet. Ka plot vdekje nga medikamentet. Ka medikamente që janë në përdorim prej vitesh, ka preparate prej 20 vjetësh dhe në fund kanë dalë dhjetëra njerëz të vdekur prej tij”, shpjegon Abazaj.


Mungesa e etikës në mënyrën e sjelljes nga ana e bluzave të bardha është një tjetër pikë e rëndësishme, që sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut nuk duhet anashkaluar, siç ndodh rëndom, përkundrazi duhet të merret në konsideratë të plotë.


Abazaj nuk ngurron të pranojë se edhe pse janë marrë masa disiplinore në këtë drejtim, fenomene të këtij lloji vijojnë të jenë të pranishme në radhët e spitaleve që operojnë në vendin tonë.