Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka denoncuar rritjen e çmimeve të fruta-perimeve në Tiranë, duke kritikuar minitregjet e ngritura në trotuare.

Sipas Braçes, çmimet aktuale janë të larta dhe të pabarabarta: domatet shiten 300-340 lekë/kg, domatet e vogla 640 lekë/kg, speci i kuq 340 lekë/kg, karrota 140-150 lekë/kg, patëllxhani “pa cilësi” 320 lekë/kg, bizelet 480 lekë/kg dhe mashurkat 600 lekë/kg.

Ai thekson se “abuzimi është skandaloz”, pasi tregtarët që operojnë në trotuare nuk lëshojnë kupon tatimor. Braçe shton se ka një vit që kërkon nga policia e bashkisë të lirojë gjysmën e trotuarit për të moshuarit që lëvizin aty, por sipas tij, ka mungesë përkujdesjeje dhe bashkëpunimi nga autoritetet lokale, të cilat duket se mbajnë “mirëkuptim me çdokënd që shet në këto pika”.