Ngjarjet e fundit, Agjencia Shtetërore: Dënojmë rëndë formën më të rëndë të dhunës
Mbrojtja e fëmijëve dhe sidomos rehabilitimi i atyre që bien pre e dhunës fizike, psikologjike apo seksuale është një nga çështjet më shumë të diskutuara në realitetin e shoqërisë shqiptare. Çështje që megjithëse meriton vëmendje dhe rëndësi nga ana e autoriteteve përgjegjëse shtetërore në politikat e tyre institucionale, ndeshet me mangësi të panumërta sa i takon mekanizmave mbrojtës, fillimisht për të parandaluar rastet e dhunës e më pas për ti rehabilituar ata. Nisur nga ngjarjet e fundit, që tregojnë për përdhunime të fëmijëve, kryesisht vajza, brenda ambientit të ngushtë familjar, të cilat përsëriten vazhdimisht ndonëse psikologët kanë dyshime se ajo çfarë transmetohet në media është vetëm një pjesë e asaj çfarë ndodh në të vërtetë në fshehtësi, reagon Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës(ASHMDF). Ndërsa dënon ashpër çdo formë të abuzimit seksual me fëmijët brenda dhe jashtë rrethit të tyre familjar, duke e konsideruar si një nga format më të rënda të dhunës ndaj fëmijëve, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve deklaron publikisht se po punon me përfaqësuesit e të gjitha njësive vendore dhe partnerët e saj për të siguruar mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre. “Si një institucion në nivel qendror që punon për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, ASHMDF nxit qytetarët dhe komunitetet përreth fëmijëve të denoncojnë sa më shpejt çdo rast të dyshuar apo konstatuar të abuzimit me fëmijët. Vetëm raportimi i shpejtë do të mundësojë parandalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima”, thuhet në njoftimin zyrtar të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve. Në të gjithashtu citohet se një prej gjetjeve në studimin “Abuzimi Seksual i Fëmijëve në Rrethin e Besimit” të hartuar nga organizata Terres des Hommes në bashkëpunim me ASHMDF është shkelja e parimeve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar në mënyrën e raportimit të lajmeve me këtë karakter. Për këtë arsye Agjencia njofton se në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audio Vizive (AMA) kanë kërkuar marrjen e masave për operatorët e transmetimit në rastet kur është konstatuar që janë shkelur parimet e ruajtjes së privatësisë dhe konfidencialitetit të fëmijës. “Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve do të vazhdojë punën e saj për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimet seksuale”, vijon më tej njoftimi i ASHMDF. Sh.Me