Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 personat e akuzuar për abuzimin e një 16-vjeçareje.

Masat me burg u dhanë për njerkun e të miturës Pajtim Bakën, njëkohësisht efektiv policia, e po ashtu për 27-vjeçarin Isi Pasha dhe Kristian Priftin, 46 vjeç. Pasha dhe Prifti akuzohen njëkohësisht për shantazhin ndaj policit.

Arrest me burg në mungesë u dha edhe për efektivin tjetër, 53-vjeçarin Artur Ago, i shpallur në kërkim, pasi kishte lidhje intime me të miturën dhe i dërgonte video erotike. Indicia për këtë rast u bë publike përmes një postimi në rrjetet sociale, gjë që çoi menjëherë në nisjen e hetimeve.

Grupi hetimor ka zbuluar se ngjarja ka lidhje me disa video me përmbajtje intime, të cilat janë shpërndarë në mënyrë virtuale dhe janë në posedim të disa të rinjve, shokë të vajzës. Tre personat kanë shantazhuar efektivin Baka duke i kërkuar para, me pretendimin se dispononin një video intime me thjeshtrën e tij. Shuma e kërkuar si shantazh shkonte deri në 12 mijë euro.