Pedofilia
Çështja në Valias të Kamzës dyshohet se u mbyll pas ndërhyrjes së oficerit të policisë
Dyshimet për një rast pedofilie para dy vitesh në Kamzë kanë sjellë rihapjen e dosjes për një 50-vjeçar, dosja e të cilit ishte mbyllur për mungesë provash. Kjo vjen pas zbulimit të pedofilit Ardian Prenjasi, i cili ka detyruar autoritetet policore dhe të prokurorisë të rishikojnë të gjitha rastet e dyshimta për pedofili gjatë viteve të fundit, të cilat janë mbyllur për mungesë provash. Një prej tyre ka të bëjë edhe me denoncimin për pedofili ndaj një vajze, e cila në atë kohë ishte vetëm 11 vjeçe.
Kallëzimi i parë
Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në Valias të Kamzës, mes disa gërmadhave të një ndërtese të braktisur. E mitura G.M. mësohet se ka qenë e vetme në atë kohë, kur është thirrur nga 50-vjeçari H.K., me origjinë nga Kukësi (emri i plotë nuk publikohet për arsye hetimore). Pasi e ka futur në gërmadha, ai ka tentuar të abuzojë me të miturën 11-vjeçare, por motra e saj kishte dalë për ta kërkuar. Në këto kushte, i dyshuari e ka lënë të lirë të miturën dhe ajo i ka treguar gjithçka motrës e më pas prindërve. Në këto kushte, nëna e të miturës i është drejtuar policisë, pikërisht në Komisariatin Nr.5, që mbulon zonën e Kamzës, duke kallëzuar penalisht të dyshuarin. Nga deklarimi i të miturës në atë kohë, mësohet se i dyshuari kishte tentuar ta përdhunonte, por kur ka dëgjuar zërin e motrës, e cila në atë kohë ishte 23 vjeçe, është larguar me vrap.
Mbyllja e dosjes
Menjëherë, policia nisi hetimet për këtë rast, duke ngritur dyshimet ndaj personit të denoncuar, por ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë, për shkak të mungesës së provave. Sipas të dhënave, i dyshuari është edhe vëllai i një oficeri policie, por nuk është provuar nëse në mbylljen e hetimeve kishte ndikuar ai, pavarësisht se ka dyshime edhe për këtë ndërhyrje. Për dy vite, kjo dosje qëndroi e mbyllur, ndërkohë që tashmë është kërkuar rihapja. Sipas burimeve të Prokurorisë së Tiranës, pas zbulimit të Prenjasit, të gjitha dosjet e mbyllura për mungesë provash që kanë të bëjnë me kallëzime për pedofili, po rishikohen me qëllim për të goditur këtë fenomen.
Rihapen hetimet
Një prej këtyre dosjeve i përket edhe rastit të Valiasit. Në këto kushte, prokuroria ka rikthyer dosjen në Komisariatin Nr. 5 për rihetim, duke lënë edhe detyrat përkatëse. Sipas të dhënave nga prokuroria, vetëm dy ditë më parë është rimarrë në pyetje motra e të dëmtuarës, e cila i kishte shpëtuar përdhunimit para dy vitesh. Ajo ka treguar edhe njëherë sesi e kujtonte ngjarjen, duke dhënë detaje mbi personin e dyshuar. Ndërkaq, ajo tregon se personi i dyshuar rezulton se është kushëri me nënën e tyre. Madje, ai kishe ngacmuar disa herë edhe nënën e tyre, para se të tentonte të përdhunonte 11-vjeçaren, e cila sot është 13 vjeçe. Burimet nga prokuroria shpjegojnë se në ditët në vijim do të merret në pyetje edhe personi i dyshuar, ndërkohë që do të hetohet edhe për mënyrën e mbylljes së dosjes. Në përfundim të hetimeve do të vendoset nëse ai do të ndiqet penalisht, apo ndaj tij do të mbyllet kjo çështje përfundimisht.
Ble.Gi.