SPAK ka kthyer një përgjigje zyrtare për Partinë Demokratike, lidhur me kallëzimin ndaj deputetit Tërmet Peçi, për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e kryebashkiakut të Tepelenës. Kallëzimi ishte depozituar nga Adriana Kalaja, një anëtare e Partisë Demokratike, në Prokurorinë e Posaçme.

Në përgjigjen e saj, SPAK sqaron se procedimi penal për Peçin është regjistruar dhe po hetohet për akuzat e ngritura. Sipas dokumenteve të publikuara nga SPAK, hetimet janë ende në zhvillim dhe aktet hetimore për këtë rast janë aktualisht “sekret”.

“Veprimet hetimore për Tërmet Peçin ende nuk kanë përfunduar. Në këtë çast, aktet hetimore përbëjnë sekret,” thuhet në përgjigjen e SPAK. Po ashtu, organi i akuzës sqaron se Peçi nuk është pyetur ende lidhur me rrethanat që lidhen me akuzat për shkelje të barazisë në tendera.

Kallëzimi ndaj Peçit ka të bëjë me dyshimet për abuzime me tenderat gjatë periudhës që ai ka qenë në krye të Bashkisë Tepelenë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin më shumë detaje në lidhje me këto akuza.