Një hetim i nisur më shumë se katër vite më parë në Halkidiki ka çuar në arrestimin e një 52-vjeçari shqiptar në Mal të Zi. Ai kërkohej nga autoritetet greke nën dyshimin se në maj të vitit 2022 kishte sulmuar seksualisht një turiste 22-vjeçare në zonën e Kassandrës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në një pjesë të izoluar të bregdetit, ndërsa për një periudhë të gjatë autoritetet nuk kishin arritur të siguronin prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit.
Zhvillimi që ndryshoi rrjedhën e hetimeve erdhi nga analizat e ADN-së. Gjatë kontrolleve, policia kishte marrë një mostër nga një hambar ku qëndronte 52-vjeçari. Ekzaminimet laboratorike treguan se profili gjenetik përputhej me materialin biologjik të administruar në kuadër të hetimeve për sulmin ndaj 22-vjeçares.
Pas sigurimit të kësaj prove, sipas mediave greke, i dyshuari ishte larguar nga Greqia. Autoritetet nisën kërkimet ndërkombëtare dhe ndaj tij u lëshua një urdhër-arrest evropian.
Gjurmimi i 52-vjeçarit përfundoi së fundmi në Mal të Zi, ku ai u lokalizua dhe u vu në pranga nga autoritetet vendase.
Procedurat për dorëzimin e tij te drejtësia greke tashmë kanë nisur. Pas përfundimit të procesit të ekstradimit, shqiptari pritet të transferohet në Greqi, ku do të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij për ngjarjen e vitit 2022.
