Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka lëshuar kritika të forta ndaj opozitës, duke e akuzuar se i hapi rrugën fitores së mazhorancës në zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Açka u shpreh se bojkoti dhe vendimet e papërgjegjshme të opozitës, përfshirë edhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, kontribuan drejtpërdrejt në këtë rezultat.
Duke reflektuar mbi rezultatin e zgjedhjeve, Açka theksoi se vetëm partitë e reja, së bashku me një Partinë Demokratike që arrin të “ndryshojë lëkurë”, kanë potencialin për të sjellë ndryshim real në vend.
Ajo e cilësoi gjithashtu si një dështim të madh mosrealizimin e votës së diasporës, duke theksuar rëndësinë që kjo kategori e qytetarëve të përfaqësohet në procesin zgjedhor.
“Për ne opozitarët seancat kanë humbur kuptimin që prej 27 korrikut 2024 kur votuam ndryshimet e kodit zgjedhor hymë në një gjendje transopozitar dhe jemi ede në një jerm të plotë. Sipas meje ne na kanë ndëshkuar shqiptarët mes të tjerash për amoralitetin e marrëveshjes së kodit zgjedhor që u gatua këtu në parlament, opozitarët që votuan kodin zgjedhor në fakt shkatërruan mundësinë për fitoren e Partisë Demokratike dhe ia lehtësuan fitoren Edi Ramës. Madje ia dhuruan fitoren me plot 12 mandate në parlament. Janë vjedhur partitë e reja, të gjitha bashkë janë grabitur 10 deputetë. Ka gjë më kriminale se kjo? Vetëm partitë e reja do e ndryshojnë Shqipërinë dhe PD nëse ndërron lëkurë” përfundoi Açka.