Bulqizë


Prej ditësh, kompania “Albanian Chrome ACR” që menaxhon pjesën kryesore të minierës së Bulqizës ka nisur aksionin për bllokimin e galerive të  firmave të vogla private që operojnë në të ashtuquajturën Zona D e minierës. E gjitha kjo bëhet me pretendimin se hyrjet e këtyre galerive kalojnë në territorin e ACR-së. Kështu mbi 20 firma private të licencuara për shfrytëzimin e kromit në këtë zonë rrezikojnë të mbyllin aktivitetin e tyre, pasi ACR-ja kërkon t’u mbyllë hyrjet e galerive. “Ne kemi mbi katër vite që punojmë në këto galeri, por ACR-ja, pasi ka mbaruar punë në shfrytëzimin e galerive të veta, pa bërë asnjë investim, kërkon që të mbajë peng hyrjet e galerive tona”, thotë një nga pronarët e firmave të vogla. Sipas tij, ACR-ja, pasi ka dështuar me firmën e parë nënkontraktore për shfrytëzimin e galerive të saj në Zonën D, mësohet se ka rënë në ujdi me një tjetër nënkontraktor, një kompani turke, që pritet të nisë punën për shfrytëzimin e galerive në këtë zonë. Me këtë rast, ACR-ja u ka hapur “luftë” firmave të vogla, me pretendimin se ndodhen në territorin e saj. Por pronarët e firmave të vogla thonë se në galeritë e ACR-së aktualisht nuk ka mbetur më krom për t’u shfrytëzuar, pasi aty nuk është bërë asnjë investim dhe një ndërmarrje e tillë nga ana e ACR-së bëhet për të na vendosur taksa e gjoba ndaj tyre. Veç të tjerave, mbyllja e 20 galerive do shkaktonte edhe probleme të rënda sociale pasi afro 400 punëtorë që aktualisht punojnë në këto galeri, do mbeteshin të papunë. Pronarët e galerive shprehen të gatshëm që 80 punëtorët e ACR-së që mbeten të papunë në Zonën D, t’i punësojnë në firmat e tyre sipas profesioneve që kanë.


h.l.