Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, ka mbyllur zyrtarisht karrierën e saj diplomatike.

Në ceremoninë e largimit të ish-ambasadores nga Departamenti Amerikan i Shtetit ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe miq të afërt të Yuri Kim. Mes të ftuarve ishin edhe ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu, ambasadori aktual i Shqipërisë në Uashington, Ervin Bushati etj.

Yuri Kim u largua nga DASH në kuadër të një sërë largimesh masive që u ndërmorën në këtë institucion. Mësohet se Kim ka pranuar largimin me dëshirë kundrejt pagesës për një kohë të caktuar, në mënyrë që të shmangeshin proceset gjyqësore me DASH.

Yuri Kim shërbeu si ambasadore në Shqipëri gjatë viteve 2019–2023, ku u bë një nga zërat më aktivë të diplomacisë amerikane në vend, duke mbështetur reformën në drejtësi dhe proceset demokratike. Në karrierën e saj mbi 20-vjeçare, Kim ka shërbyer në disa nga vendet më strategjike për politikën e jashtme të SHBA: Kore, Japoni, Kinë, Irak, Turqi dhe Shqipëri.