Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Administrative për zhbllokimin e pagave të GJKKO-së dhe Gjykatës së Durrësit.
Në reagimin e tij, Rama ka vënë në pikëpyetje mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën është marrë vendimi, duke pretenduar se bëhet fjalë për hapjen e fondeve për rritjen e pagave të gjyqtarëve pa një miratim paraprak nga Kuvendi.
Rama e ka cilësuar vendimin si “tejet turbullues”, duke argumentuar se gjykata, sipas tij, nuk ka marrë një masë për të ndaluar ekzekutimin e një akti, por për ta nxitur atë në funksion të një interesi që ai e konsideron vetjak.
Kryeministri ka ironizuar gjithashtu shpejtësinë e veprimit të gjykatës, duke e krahasuar atë me vonesat që, sipas tij, shoqërojnë shqyrtimin e mijëra çështjeve të tjera.
“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ”, është shprehur Rama, duke shtuar se Kuvendi do të marrë vendimin përkatës më 17 shtator, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor për çështjen e pagave vijon të jetë në qendër të debatit.
Reagimi i plotë:
Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge gjykatësve…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.
