Masa e sigurisë
Katër të arratisurit, në gjykatë nën masa të rrepta sigurie
Edhe tre bashkëpunëtorët e jashtëm të shtatë të arratisurve janë lënë nga gjykata në “burg pa afat”
Një nga organizatorët e jashtëm, shok i Tafilit, kishte vetëm dy javë që ishte liruar nga burgu
Siguria – Tre prej të arratisurve nga Burgu i Drenovës kanë mbërritur bashkë në Gjykatën e Korçës, për t’u njohur me masën e sigurisë. Tafili, Marashi dhe Guri u dërguan nën masa të forta sigurie, madje edhe të lidhur këmbë e duar me zinxhirë
Admir Tafili – “Unë e organizova arratisjen nga burgu, për shkak të një gjykimi të padrejtë ndaj meje. Nuk kam lënduar asnjeri gjatë arratisjes”, deklaroi Tafili në gjykatë
Fran Marashi – “Nuk do të rrija në arrati, do të shkoja në një televizion të kërkoja ndihmë për rihapje të dosjes. Jam i pafajshëm”, u shpreh Marashi, duke kërkuar rigjykim
Gëzim Guri – “Nuk jam pjesë e planit të arratisjes. U njoftova në momentet e fundit dhe doja të largohesha nga burgu. Mos më transferoni diku tjetër”, ka deklaruar Gëzim Guri
Katër të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilët u arratisën nga Burgu i Drenovës, janë përballur dje në Gjykatën e Korçës me akuzat e reja ndaj tyre, kur janë dërguar nën masa të rrepta sigurie dhe të lidhur me pranga këmbë e duar. Admir Tafili ka marrë përsipër organizimin e arratisjes, ndërkohë që shoku i tij, Fran Marashi, ka deklaruar se ishte arratisur për të shkuar në një televizion dhe të tregonte historinë e tij, pasi ishte dënuar padrejtësisht. Në burg ka mbetur edhe bashkëpunëtori i jashtëm i të arratisurve, i cili kishte vetëm dy javë që ishte liruar nga burgu.
Siguria e rreptë
Tre prej të arratisurve nga Burgu i Drenovës, që u kapën të dielën në një magazinë në Përrenjas, kanë mbërritur bashkë pasditen e djeshme në Gjykatën e Korçës, për t’u njohur me masën e sigurisë. Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri kanë mbërritur në gjykatë nën masa të forta sigurie, madje edhe të lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Ndërkohë, në një tjetër sallë të gjykatës është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj të arratisurit tjetër Artur Gora, për të cilin u vendos masa e sigurisë arrest me burg. Sapo ai ka mbërritur në gjykatë, ka kërkuar që të flasë me avokatin e tij, Esmerald Xhafa. Gjatë seancës, ai ka pretenduar se nuk ka qenë organizator dhe kërkesa e tij e vetme ka qenë fakti që të mos transferohet në Burgun e Peqinit.
Bashkëpunëtorët
Pas Gorës, në gjykatë janë paraqitur tre personat që akuzohen se kanë ndihmuar të dënuarit të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Gjykata ka vendosur masën burg pa afat për Albi Maçinin, Ervis Lamin dhe Olsian Maçin. Albi Maçini dhe Olsian Maçi u arrestuan në Elbasan pak orë pas arratisjes së shtatë të dënuarve nga Burgu i Drenovës. Ata udhëtonin me makinën e një prej shokëve të Admir Tafilit, me të cilën dyshohet se janë transportuar të dënuarit për t’u larguar nga Korça. Ndërkohë, 19-vjeçari nga Kamza, Ervis Lami, i cili ka qenë shok burgu me Tafilin, akuzohet se ka hedhur një granatë pranë Komisariatit të Korçës, për të larguar vëmendjen e efektivëve nga arratisja që po ndodhte në Drenovë. Ervis Lami është liruar vetëm dy javë më parë nga Gjykata e Tiranës, pasi më datë 26 tetor 2013 ka kundërshtuar më dhunë punonjësit e policisë të Komisariatit Nr. 6 dhe njëkohësisht ka thyer urdhrin e gjykatës, që e kishte e lënë në “arrest shtëpie” 19-vjeçarin, e dënuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Babai i 19-vjeçarit, i cili ishte efektiv policie në Kamzë dhe shoku i tij, R. Kazani, i kanë vendosur me datë 27 tetor një sasi tritoli automjetit të një oficeri të policisë, që gjendej i parkuar para Komisariatit Nr. 6. Pas kësaj ngjarjeje, Admir Tafili nga Burgu i Drenovës ka kërcënuar me jetë oficerin e policisë, i cili më pas u mor në mbrojtje nga Policia e Shtetit.
Admir Tafili
Ndërsa nga treshja që mendohet se organizuan arratisjen nga burgu, i pari që është paraqitur për masë ka qenë Admir Tafili, i cili pretendohet se ka qenë truri i arratisjes nga Burgu i Drenovës. Ky fakt u pranua nga vetë i dënuari, gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Korçës. Gjatë seancës së zhvilluar nën masa të forta sigurie, tha se e kishte organizuar planin për t’u arratisur nga institucioni i vuajtjes së dënimit, pasi pretendon se është gjykuar padrejtësisht. “Unë e organizova arratisjen nga burgu, për shkak të një gjykimi të padrejtë. Nuk kam lënduar asnjeri”, deklaroi Tafili në gjykatë. Seanca ndaj Admir Tafilit u ndërpre për disa minuta, pasi avokati Baftjar Rusi kërkoi të njihej me klientin e tij. Avokati Rusi është kontaktuar nga familjarët e Admir Tafilit dhe ka deklaruar se nuk e njihte më parë atë. Më pas, gjykata ka vendosur masën “burg pa afat” për Admir Tafilin, duke e cilësuar si person që përbën rrezikshmëri të lartë. Admir Bahri Tafili akuzohet për vrasjen e dyfishtë, të Nikë dhe Gjovalin Pjetrushit, 31 dhe 25 vjeç, që ndodhi më 18 mars të këtij viti në fshatin Grudë e Re, të Komunës Rrethina.
Fran Marashi
Gjykata e Korçës vendosi masën burg pa afat edhe për të arratisurin tjetër, Fran Marashi, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm si anëtar i bandës që shkaktoi masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1996. Marashi është ekstraduar nga Italia në vitin 2007, ndërsa dy vite më vonë, ai u arratis nga Burgu i Burrelit, bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore. Të dy ata u kapën nga policia pak orë pas arratisë, duke shijuar vetëm pak orë nga liria e tyre. Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura, Marashi deklaroi se ishte arratisur nga burgu për të kërkuar vëmendje, në mënyrë që dosja e tij të rihapet. Ai tha se do të rikthehej në qeli, pasi të kishte shkuar në një televizion ku të kërkonte publikisht rihapjen e dosjes. “Nuk do të rrija në arrati, do të shkoja në një televizion të kërkoja ndihmë për rihapje të dosjes. Jam i pafajshëm”, u shpreh Marashi. Më tej Fran Marashi rrëfeu se armën ia kishte dhënë një shok në burg, por theksoi se nuk kishte qëllim të kryente asnjë vrasje.
Gëzim Guri
Gjykata e Korçës ka vendosur të njëjtën masë edhe për të arratisurin tjetër, Gëzim Guri, i cili u kap bashkë me Tafilin dhe Marashin në një magazinë në Përrenjas. Mësohet se Guri ka deklaruar në gjykatë se nuk ishte në dijeni të planit të arratisjes dhe se e kishte mësuar atë në momentet e fundit. “Nuk jam pjesë e planit të arratisjes. Doja të largohesha nga burgu. Mos më transferoni diku tjetër, më lini në Burgun e Drenovës”, deklaroi Guri. Gëzim Guri, lindur e banues në Vaun e Dejës në Shkodër, është dënuar me burgim të përjetshëm, vjedhje me armë dhe vrasje në Shkodër, por edhe për një vrasje në burg.
Kërkimet
Forcat e rendit e mohojnë, duke u bazuar te moti i keq dhe gatishmëria e palës greke
Tre të arratisurit mund të kenë kaluar në Greqi
Barinjtë, në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, kanë ngritur dyshimet se tre të arratisurit nga Burgu i Drenovës, që ende nuk janë kapur, kanë kaluar për në tokën helene me mushka, por këto dyshime janë hedhur poshtë nga policia. Sipas policisë shqiptare, por edhe asaj greke, të arratisurit s’kanë mundur të hyjnë në thellësi nga moti i keq, ndërkohë që operacioni për kapjen e tyre ka vijuar në Miras dhe Vidohovë, pasi aty janë gjetur gjurmë të tyre. Dyshimet për kalimin e tre të arratisurve në Greqi lidhen me dy fakte të konstatuara edhe nga policia. Ato kanë të bëjnë me mushkat e vjedhura në një fshat pranë zonës së kërkimeve, që janë gjetur nga policia greke. Ndërsa fakti i dytë lidhet me një bari të fshatit kufitar, i cili ka deklaruar për policinë se kishte parë tre persona të udhëtonin me to. Pas kësaj duket se policia shqiptare do të vazhdojë kërkimet, pasi asgjë nuk është e konfirmuar, megjithëse të gjitha gjasat janë se tashmë Reis Haxhiraj, Edmond Lula dhe Gëzim Toma lëvizin në tokën greke. Policia e Korçës dhe forcat speciale rinisën mëngjesin e djeshëm kërkimet për tre të arratisurit në zonën e Dardhës në Korçë dhe në Rrethin e Devollit, pasi dyshohej se të arratisurit kishin vjedhur tre mushkat në fshatin Arrëz të Dardhës. Kërkimet u zhvilluan edhe në Rrethin e Devollit pranë zonës kufitare me Greqinë, ku policia ka gjetur gjurmë që më pas janë zhdukur. Megjithatë, policia greke ka njoftuar palën shqiptare se pavarësisht gjetjes së tre mushkave, të arratisurit nuk mund të kenë kaluar kufirin, pasi moti ka qenë i keq dhe ka një numër të madh forcash policie në gatishmëri. Nga ana tjetër, burime nga policia shqiptare bën të ditur se ekziston edhe mundësia që mushkat të mos jenë përdorur nga të arratisurit dhe këta të fundit të mos kenë kaluar kufirin, prandaj kërkimet vazhdojnë, ndonëse janë të vështira, për shkak të kushteve atmosferike, pasi zona është e mbuluar me mjegull dhe borë. Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reis Haxhiraj, Eduart Lula dhe Artur Gora, nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mosafrimin e rojave dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës, mbrëmjen e së shtunës. Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Përrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e tyre. I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Ndërsa tre të arratisurit e tjerë mendohet se kanë marrë drejtim të kundërt me katër të parët.