Një incident i rëndë ka ndodhur sot në ambientet sportive të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Gjergj Kastrioti” në Baz, Mat. Alban Gjonaj, një 17-vjeçar, është goditur me thikë në brinjë nga 18-vjeçari Donald Lepuri pas një konflikti të çastit.

I riu u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka reaguar me shpejtësi, duke identifikuar dhe shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes.

Nga hetimet paraprake rezulton se dy të rinjtë nuk kishin pasur më parë konflikte, ndërsa autori kishte përdorur një mjet prerës, i cili është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Situata ka ngritur shqetësime për sigurinë në shkolla, pasi në institucionin arsimor me 96 nxënës mungojnë oficerë sigurie dhe psikologë. Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar rrethanat dhe motivet e plota të ngjarjes.