Pasditen e së mërkurës, në rrugën “Gjon Buzuku” në Tiranë, një vajzë 16-vjeçare ndërmori aktin tragjik të vetëvrasjes, duke u hedhur nga kati i lartë i një pallati në ndërtim.

Sipas informacioneve, e mitura ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike. Mediat raportojnë se ajo kishte filmuar me celular momentet e fundit, duke regjistruar veten teksa ngjitej në shkallët e objektit dhe vendin ku vendosi t’i jepte fund jetës.

Dyshohet se vajza kishte pasur konflikte me familjen, të cilët ende nuk kanë dhënë dëshmi për shkak të gjendjes së rënduar emocionale. Ndërkohë, gjatë kontrollit të çantës së saj, grupi hetimor gjeti disa ilaçe, duke forcuar dyshimet se e reja mund të ketë qenë në një gjendje të brishtë psikologjike.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.