Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për fat mirë ndjehet i lehtësuar nga barra e rëndë që ka si deputet i Vlorës me zgjedhjen e kompanisë fituese që do të ndërtojë aeroportin në qytetin bregdetar.
Ai gjithashtu bëri të ditur se kompania fituese që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës është kompania e Behgjet Pacollit.
“Pandemia ka goditur kudo por një nga sektorët më të goditur është ai i aviacionit. Vendet janë impenjuar të fusin sasi parash për të mos lënë atë industri gjigante të falimentojë. U la një kohë. U mendua që pas verës do të rifillonte procesi. Por kompanitë europiane patën pengesë objektive dhe duke qenë në paketat mbështetëse të subvencionuara nga qeveritë u ndaluan të përdorin paratë për investime të jashtme. Sot marr frymë i lehtësuar. Për fat të mirë dhe për fat të keq jam deputet në Vlorë.
Për fatin e mirë nuk po flas ndërsa fati i keq është durimi i vlonjatëve që të shënjestrojnë si gënjeshtar, mashtrues që nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Kur ti e di se cila është e vërteta fjalët dhe shpjegimet nuk bëjnë punë të madhe. Jam i lumtur që baza e këtij kosnorciumi është një kompani e famshme që mban flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit”, deklaroi Rama.
Kryeministri më tej ka zbuluar se Pacollit në takimet e tija prej kohësh i është ankuar se nuk iu dha mundësia të ndërtonte në Shqipëri.
“Jam shumë i lumtur që Behgjet Pacolli ka mundësi të ndërtojë dhe prej kohësh më ankohet si nuk m’u dha mundësia të bëj diçka për Shqipërinë dhe të mbetet firma ime. Më vjen mirë të kemi një kompani shqiptare, duke pasur një partner si Pacolli që mund të vëmë para përgjegjësisë përpara nderit të mbarë popullit dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompani të huaja, që mund të jenë kaq të mira dhe të interesuara, por në momente të caktuara bëhen krejtësisht të ftohta, shurdhe dhe qorre për përballë kërkesave që mund kesh për cilësi në punime”, tha Rama, i cili shtoi se ka besim te “baca Behgjet”. Fituesi saktësisht është një bashkim kompanish të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%) me vlerë investimi 103 milion e 966 mijë euro. Mabetex Group është kompani që është në pronësi të familjes së Behgjet Pacolli..