Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Kryedemokrati u paraqit në SPAK në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje. Ai doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pak minuta pas hyrjes në godinën e organit të akuzës.

Kujtojmë se sot, në orën 10:30 minuta, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbahet seanca e radhës për dosjen Partizani. Seanca e parë, më 30 qershor, u shty për mungesë të Berishës, i cili tha se nuk kishte marrë fletëthirrjen, si dhe mungesës së biznesmenit Fatmir Bektashit, për arsye shëndetësore. I pranishëm, Malltezi deklaroi para trupës gjykuese se nuk e kishte njoftuar Berishën për fletëthirrjen për t’u paraqitur në gjykatë.

Dosja për privatizimin e klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, në truallin e të cilit janë ngritur pallate, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndaj pritet proces i gjatë.

Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, i akuzuar se në cilësinë e kryeministrit ka ndërmarrë veprime konkrete me miratime ligjesh e aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.