Program i ri pas shkollë, bashkë me ushqimin e mundësuar në ambientet mësimore, pritet të nisë si një projekt pilot në 30 institucione arsimore në kryeqytet vitin e ardhshëm shkollor.

Top Channel ka siguruar ekskluzivisht listën e shkollave 9-vjeçare që do të testohet programi pas-shkollor i quajtur “Afterschool”, ku përfshihen shkollat e qendrës në Tiranë si “Emin Duraku”, “Konferenca e Pezës”, “Sabaudin Gabrani”, por projekti shtrihet edhe në periferi si në shkollën “Pal Engjëlli” apo “Ibrahim Brahja”.

Përfituesit do të jenë vetëm nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe synon të ofrojë një mbështetje të shtuar arsimore për familjet pas përfundimit të mësimit zyrtar, duke zgjatur orarin e qëndrimit të fëmijëve në hapësirat shkollore.

Shkollat e përzgjedhura janë kryesisht mbi bazën e rikonstruksionit dhe plotësimit të kushteve për ofrimin e ushqyerjes brenda godinave arsimore. Prindërve u është dhënë një formular për shprehjen e pëlqimit ose jo të projektit.

Në formularin e siguruar nga Top Channel ata pyeten nëse janë dakord që fëmijët të konsumojnë drekën falas, të mbuluar me fondet e pushtetit lokal, dhe të qëndrojnë në shkollë deri në orën 16:00. Në varësi të numrit të lejeve të dhëna nga familjarët, do të vendoset përfundimisht nëse shkolla do të jetë në listën përfundimtare.

“Në kuadër të këtij programi: Qëndrimi i nxënësve në shkollë do të jetë deri në orën 16:00; Nxënësve do t’u ofrohet drekë pa pagesë, e financuar nga Bashkia; Aktivitetet do të zhvillohen në një mjedis të sigurt dhe të mbikëqyrur nga stafi arsimor.”

Programi pas-shkollor shihet si një vazhdimësi e “shkolla si qendër komunitare”, por edhe një kërkesë e përsëritur e prindërve, të cilët detyroheshin të shkëputeshin nga puna për të marrë fëmijët pas mësimit në mesditë.

Projekti “After School” është edhe pjesë e programit qeverisës “Shqipëria 2030”, ku plani është zgjerimi i numrit të shkollave me drekën falas, të paktën në çdo bashki qendër qarku brenda mandatit të katërt të socialistëve.