Gjykata e Shkallës së Parë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm në Berat ka caktuar masat e sigurisë për tre personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Again”, i cili ka zbuluar një skemë të rrezikshme të importimit të 8 tonëve domatesh të kontaminuara me pesticide. Në pranga përfunduan Mariglen Qorri, pronar i një kompanie eksporti perimesh, si dhe dy punonjës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të dyshuar për mbulimin e veprimtarisë kriminale.

Gjyqtarja Ardiola Çela vendosi masën “Arrest në burg” për Mariglen Qorrin, i cili akuzohet për krime të rënda si “Importimi dhe shitja e ushqimeve të rrezikshme”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Për Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika, punonjës të AKU-së, u caktua masa “Arrest në shtëpi”.

Sipas hetimeve, dy inspektorët e AKU-së kanë manipuluar inspektimet në subjektin “Era Fruit”, duke mos raportuar sasinë e domateve të kontaminuara dhe duke u përfshirë në falsifikimin e dokumenteve që maskonin origjinën dhe rrezikshmërinë e produkteve. Ata dyshohen gjithashtu për pranimin e një fakture fiktive të paraqitur nga Qorri, duke e bërë të mundur kalimin e produkteve të rrezikshme për shëndetin nëpërmjet një rrjeti të korrupsionit.

Operacioni ka vazhduar me sekuestrimin dhe analizimin e mostrave të dyshuara për kontaminim të produkteve të ndryshme, duke lënë të hapur mundësinë e zbardhjes së një skeme më të gjerë të falsifikimit të produkteve ushqimore.