Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili në një fjalim në foltore akuzoi Ergys Agasin, të akuzuar për pengmarrje nga SPAK, për goditjen e ish-ministrit Manja me grushte.

Në një përgjigje të tij, Ulsi Manja ka hedhur poshtë akuzat e Berishës dhe ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë përballje fizike me Ergys Agasin, duke e quajtur deklaratën e Berishës si të pavërtetë dhe të pabazuar. Manja ka theksuar se Berisha po përdor akuza të tilla për të shpërndarë dezinformata dhe për të fshehur problemet e brendshme të Partisë Demokratike.

“Sali, ktheje dhimbjen në forcë! Më thanë që më kishe qarë hallin dje në foltoren tënde buzë trotuarit. Të mirëkuptoj, Sali: kur më shumë lajm bën emri im dhe ty s’të ngjit më fjala, ke leje ta përdorësh emrin tim sa herë të duash. Për shpifje të rëndomta si kjo e “grushtave”, për përralla dimri, thashetheme pazari e kafenesh, për çfarëdo që t’i vijë mbarë moshës tënde”, lexohet në postimin e Manjës në Facebook.

“Nëse emri im të ndihmon të bësh lajm më shumë se Ervin Salianji, përdore emrin tim, se si i thonë fjalës, një rrugë e dy punë: ti tretësh çdo ditë e më shumë politikisht, ndërsa mua më shtohen ndjekësit në politikë”, shton Manja.