Një incident i rëndë është shënuar këtë të diel në Pogradec, gjatë procesit të votimit.

Eksponenti i Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, ka hyrë në qendrën e votimit nr. 3901 dhe ka goditur me grusht komisionerin e Partisë Socialiste, Enton Gega, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Sipas informacioneve, konflikti nisi pas një debati mes vajzës së Tollozhinës, që ishte kryetare komisioni, dhe Gegës.

Pas ngjarjes, Tollozhina u arrestua nga policia. Por situata u përshkallëzua edhe më tej. Rreth orës 13:00, tre nipër të Tollozhinës, shtetasit R.T., E.M. dhe D.M., kanë shkuar në banesën e komisionerit dhe kanë dhunuar gruan dhe djalin e tij.

Djali i komisionerit është dërguar në spital dhe po trajtohet, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa bashkëshortja e tij ka dhënë dëshmi në Komisariat.

Policia është vënë në ndjekje të autorëve të dhunës dhe po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. Autoritetet theksojnë se do të ndërhyjnë me vendosmëri për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë gjatë procesit zgjedhor.